Shpjegimi i librit El-Akide Et-Tahauije
Mësimi i parë: Njohja me librin, autorin dhe vlerën e tij.
Libri “El-Akide El-Tahauije” është një përmbledhje e hershme e besimit Islam i shkruar para më shumë se njëmbëdhjetë shekujsh, konkretisht nga fundi i shekullit të tretë të hixhretit apo fillimi i shekullit të katërt.
Titulli i këtij libri përbëhet nga dy fjalë; fjala “El-Akide” dhe fjala “Et-Tahauije”.
Për sa i përket fjalës “El-Akide” vjen nga gjuha arabe, dhe do të thotë diçka e shtrënguar mirë apo e lidhur fort dhe e bërë nyje.
Me këtë fjalë në Islam titullohen të gjitha çështjet e besimit të cilat i kërkohen çdo muslimani, si: Besimi në Allahun, besimi në melaike, besimi në profetë, besimi në librat e shpallur, besimi në kader (caktimi i Allahut), besimi në botën tjetër etj.
Kjo ngase feja Islame ndahet në besime, rite e rregulla praktike, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
وَتَمَّتْ كَلِمَتُ رَبِّكَ صِدْقًا وَعَدْلًا
“U përsos fjala e Zotit tënd me vërtetësi dhe drejtësi.” Suretu El-Enam: 115.
Ky ajet i cilëson fjalët e Zotit me dy cilësi: vërtetësi dhe drejtësi. Interpretuesit e Kuranit në lidhje me to, thonë: Të vërteta janë të gjitha fjalët e Zotit të cilat përmbajnë lajme dhe ato janë çështjet e besimit dhe të bindjeve, ndërsa të drejta janë të gjitha fjalët e Tij që përmbajnë rregulla e rite, urdhëresa e ndalesa, dhe këto janë çështjet praktike.
Pra, Akidja është lënda e besimit dhe e bindjeve Islame, dhe ajo emërtohet me këtë emër për shkak se zemra duhet lidhur dhe shtrënguar fort pas tyre sepse ato janë bazat e fesë.
Ndërsa me fjalën “Et-Tahauije” është për qëllim dijetari i cili e ka shkruar këtë akide Islame, imami Ebu Xhafer Et-Tahauij – Allahu e mëshiroftë.
Ai është njohur me këtë llagap sepse rrjedh nga një fshat i Egjiptit në brigjet e lumit Nil me emër “Taha”, dhe çdokush që rrjedh prej atij vendi quhet “Tahauij” dhe ka jetuar nga viti 238-321 sipas hixhretit.
Ai ka jetuar në kohën e lulëzimit të civilizimit Islam, si nga ana e fesë dhe e njohurive ashtu edhe nga ana e sundimit dhe ekonomisë.
Ai është shquar në fushën më fisnike të këtij civilizimi, atë të dijes Islame duke përvetësuar shumë degë të saj, si; Kurani, Hadithi, Fikhu, Akidja etj. Këto njohuri i ka shkruar në letër që të përfitojnë prej tyre edhe brezat e mëvonshëm, gjë që e ka kthyer atë në pikë referimi në shumë çështje fetare. Prandaj dhe gëzon titullin “Imam” që do të thotë pikë referimi në dije, siç është imami i namazit pikë referimi në namaz.
Libri i tij në degën e Akides është libër me shumë vlera për disa arsye.
E para: Dega e Akides është dega e më e rëndësishme e dijeve fetare sepse ajo është baza e dijeve të tjera, dhe si e tillë nuk mund t’i besohet çdokujt me përjashtim të një dijetari si ai me peshë në fushën e njohurive Islame, i cili – si u tha më lart – ka përvetësuar degët më të rëndësishme të tyre.
E dyta: Koha kur ka jetuar është shumë e hershme, dhe sa më afër të jetë dikush me kohën e Profetit – alejhi selam – aq më e begatë dhe favorizuese për t’ia qëlluar të vërtetës është koha e tij.
E treta: Në Akiden e tij ai u referohet qartazi tre dijetarëve të mëdhenj para tij – siç do të vijë në vazhdim: Imamit Ebu Hanife, kadiut Ebu Jusuf dhe dijetarit Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani – Allahu i mëshiroftë.
E katërta: Ai në Akiden e tij citon shprehje dhe realitete të njohura, gjë që e bën të lehtë vërtetimin e fjalëve të tij me Kuran dhe me fjalë profetike.
E pesta: Imam Et-Tahauij ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë respekt mes muslimanëve edhe pse kanë kaluar mbi njëmbëdhjetë shekuj nga vdekja e tij, dhe çdokujt që Allahu i Madhëruar i krijon emër të mirë mes njerëzve do të thotë se Ai është i kënaqur me të.
Për këto e të tjera arsye libri i tij në Akide është i pranuar nga dijetarët e Islamit, me përjashtim të disa kritikave të rralla që i janë bërë prej tyre por që nuk ia prishin famën as autorit dhe as librit, sepse gabimet janë në natyrën njerëzore dhe vetëm Allahu i Madhëruar nuk gabon.
Imam Shafiu – Allahu e mëshiroftë – i cili ka jetuar para tij, thoshte: “Allahu refuzon të jetë ndonjë libër i tëri i saktë veç librit të Tij (Kuranit).” Shih librin Menakib Esh-Shafiij të Bejhakiut: 2/36.
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem Shejh Abduselam Berxhes
- Ngurtësimi i zemrës Ibën Rexheb el Hanbeli
- Si rëndojnë mëkatet? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kini kujdes nga mëkatet e mëdha Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Dobi të përfituara nga 40 hadithet e imam Neveviut Salim Et-Tauijl