“Shejkhu ynë, Allahu ju dhëntë bereqet! “Shteti islamik” ka uzurpuar xhamitë në Mosul (qytet në Irak), a lejohet të mos shkojmë në to për të falur xhumanë dhe namazet me xhemat (dhe të falemi në shtëpi)?
Shejkhu: Kush mendon se me shkuarjen në xhami për të falur namazet me xhemat, ose xhumanë do të vritet, apo do të dëmtohet, i lejohet të mos shkojë. Imam Ahmedi dhe të tjerë u dënuan me arrest shtëpie, – dhe kjo është e njohur, përmendet në librat që flasin për biografitë e dijetarëve – dhe ata nuk shkonin në xhami. Imam Ahmedi ka kaluar një kohë nën sprovën e ‘Krijimit të Kuranit’, dhe e falte xhumanë në shtëpinë e tij. Kështu ai që dëmtohet (me shkuarjen në xhami) i lejohet të falet në shtëpinë e vet.
Puna e bashkimit mes namazeve për shkak të shiut, që ka ardhur në hadithin e Ebu Katades, tek i ‘Sakti i Muslimit’, Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e urdhëroi muezinin që të thërriste: “Faluni në vendqëndrimet (vendbanimet) tuaja”. Lejohet mos-vajtja në xhami për të falur xhumanë për shkak të frikës, shiut, sëmundjes. Ashtu siç gruaja nuk e ka detyrë të falet në xhami për shkak se nuk e ka gjithë çështjen e saj në dorën e saj, po ashtu edhe robi nuk e ka gjithë çështjen e tij në dorën e tij, për këtë arsye ai nuk e ka detyrë faljen e xhumasë, po ashtu edhe gruaja.
Unë nuk e kuptoj si mundet ta quajnë veten këta njerëz “Shtet islam” dhe ata i pengojnë njerëzit nga falja e xhumasë! Tek Allahu ankohemi! Ne jetojmë në kohën e ‘ruuejbida”-ve (sh.p: mendjelehtët injorantë, që flasin me kompetenca në çështjet madhore të ummetit). Jetojmë në kohën ku të sinqertit i thuhet ‘gënjeshtar’ dhe gënjeshtarit i thuhet ‘i sinqertë’, besnikut i thonë ‘tradhëtar’ dhe tradhtarit ‘besnik’. Dhe e lusim Allahun të na shpëtojë nga sprovat!
Njerëzit thonë shpesh: “Çfarë thuhet për ‘Isis’-in?” “Çfarë ka të reja nga “Isis”?”. Dhe unë them gjysmë me shaka dhe gjysmë seriozisht: Pyesni Ebreha Habeshiun. Ebreha el Habeshi është i informuar për “Isis”-in. Shiat nuk mund t’i cenojnë vendet e dy haremeve (Arabinë Saudite) me dorë shiite. Prandaj ata duhet të kenë një fuqi që i atribuohet sunetit (i thonë vetes ‘sunni’), për të sulmuar vendin e dy haremeve. I lutem Allahut të Lartmadhëruar që t’i ruajë të gjitha vendet e muslimanëve!
Ne jemi duke shkuar drejt një fitneje (trazire), dhe mediet zbukurojnë, pështjellojnë, dhe mashtrojnë. Prandaj kini kujdes nga ky zbukurim i tyre, sepse kjo është prej zbukurimit të shejtanëve. Media sot ka një fuqi shkatërrimi më të ashpër se fuqia e ushtrive. O kërkuesit e dijes! Unë jua them hapur, dhe jam i drejtpërdrejtë në maksimum: Nuk ka media islame, në mënyrë absolute! Dhe të gjitha kanalet televizive që flasin për Islamin në kohë të vështira, përhapin informacione, dhe ecin në të njëjtin drejtim me medien botërore, dhe nuk kanë mundësi ta paraqesin lajmin sipas mënyrës së saktë fetare, që të shpëtojnë ata që kapen pas Kuranit dhe Sunetit.
Prandaj mos të të mashtrojë ty moria e e madhe e të shkatërruarve, dhe mos u ndje vetëm për shkak të pakicës së atyre që ecin në rrugë të drejtë. Dhe bëj kujdes! Kryengritjet që i kemi parë, ne kemi tërhequr vërejtjen prej tyre.
Një herë më erdhi njëri prej miqve dhe dashamirësve të mi, të cilit i vinte keq për mua dhe më tha: “Lehtësoja vetes tënde! (Sh.p.: Ruaju nga thënia e gjërave drejtpërdrejt) Sepse ndoshta do të vijë një ditë, që do të flasësh dhe nuk do të kesh përpara asnjë dëgjues.” I thashë: Unë nuk eci pas asaj që duan të dëgjojnë njerëzit, dhe nuk kam dëshirë të shtohen dëgjuesit e mi. Nuk është ky pikësynimi im. Ai që ka këtë pikësynim ka rënë në sprovë.
Disa prej thirrësve kur ulen me njëri-tjetrin, bisedat që zhvillohen mes tyre janë: “Unë kam 100 mijë dëgjues (ndjekës).” “Unë kam 100 milion. Prandaj unë kur flas përpara grave nuk e kritikoj zhveshjen. E nëse ulem me tregtarët nuk e kritikoj kamatën!” Pra pikësynimi i tyre është shtimi i pasuesve, dhe kryefjala e predikimeve të tyre është fjala: “Unë”, dhe nuk është pikësynimi i tyre xhelozia ndaj fesë dhe zbatimi i ligjeve të Allahut.
Pra kryengritjet që kanë ndodhur, akoma nuk janë shfaqur frytet (pasojat) e tyre, përveç pasojat e kryengritjes që ka ndodhur në Jemen. Dhe e morëm vesh se çfarë ndodhi në Jemen. Dhe Egjiptin, lus Allahun që ta ruajë atë vend! Lus Allahun që ta ruajë Egjiptin! Dhe ta ruajë Tunizinë! Dhe ta ruajë Algjerinë! Dhe t’i ruajë të gjitha vendet ku kanë ndodhur kryengritje! E pamë se ç’ndodhi në Irak. Dhe nuk e di ç’presim më të ndodhë!
Nuk e di, këta që folën në këto fitne dhe i zbukuruan ato, a kanë guxim që t’i frikësohen vetëm Allahut dhe tu thonë njerëzve: “O njerëz unë gabova, dhe jam penduar tek Allahu dhe i kërkoj falje Atij!” A ka kush që e bën këtë? Ju drejtohemi atyre që i atribuohen selefizmit, dhe jo të tjerëve. A kanë guxim ata që t’i sqarojnë këto gjëra? Dhe të thonë si do t’i vejë halli gjakut të derdhur të këtyre qindra mijëra djemve të rinj, apo më shumë?! Dhe disa prej djemve të rinj – padyshim – kanë shkuar atje sepse ka dhënë fetva filan shejkh selefi dhe shejkhu tjetër selefi. Sikur ata të mos kishin dhënë fetva ata s’do të kishin shkuar.
Është detyrë për këta (që kanë dhënë këto fetva) që të pendohen! Dhe është detyrë për ta që ta bëjnë publik pendimin e tyre. Ndërsa fjalët prej politikani, apo ardhja vërdallë pa i përmendur gjërat drejtpërdrejtë, fjalët e zbukuruara dhe të ëmbëlsuara, përdorimi i shprehjeve elastike dhe të folurit me diplomaci, këto nuk u bëjnë dobi atyre as në dynja e as në Ahiret. Këto mënyra nuk pinë ujë tek Allahu i Lartmadhëruar.”
Përktheu: Emin Bilali