Shtylla e tretë: Besimi në libra

 

Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë në Allahun dhe besojnë me siguri të plotë se Allahu — azze ue xhel-le — u zbriti të Dërguarve të Tij Libra, të cilët përmbajnë: urdhrat, ndalesat, premtimet, paralajmërimet e Tij dhe çfarë do Allahu nga krijesat e Tij. Në to ka udhëzim e dritë. Thotë Allahu i Lartësuar:

“I Dërguari besoi në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i tij dhe po kështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të). Gjithësecili prej tyre besoi në Allahun, në Melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij.” (Bekare: 285)

Allahu ua zbriti Librat të Dërguarve të Tij për udhëzimin e njerëzve. Thotë Allahu i Lartësuar: “Elif, Lam, Ra. (ky është) një Libër të cilin Ne ta kemi shpallur ty (O Muhammed), me qëllim që t’i nxjerrësh njerëzit nga errësira (e mosbesimit) drejt dritës (së besimit të Njësisë së Allahut, të Islamit) me lejen e Zotit të tyre, për në Rrugën e të Gjithëfuqishmit, Zotëruesit të të gjitha lavdërimeve.” (Ibrahim: 1)

Këta libra janë: Kurani, Teurati, Inxhili, Zeburi, Fletushkat e Ibrahimit dhe Musait.[1] Më madhështorët ndër ta janë: Teurati, Inxhili, Kurani. Më madhështori i të treve, shfuqizuesi i tyre dhe më i miri, është Kurani. Kur i zbriti Allahu Librat (perveç Kuranit) nuk morri përsipër ruajtjen e tyre, por ua la t’i ruanin murgjit dhe të devotshmit, por ata nuk i ruajtën e nuk u përkujdesën siç duhet, për këtë shkak u ndodhi atyre librave ajo që u ndodhi, prej ndryshimeve e tjetërsimeve.

Kurani Fisnik

Kurani Fisnik është Fjala e Zotit të Botëve, Libri i Tij i qartë, litari i Tij i fortë. Ja zbriti Allahu të Dërguarit të Tij, Muhammed ibn Abdullahit, — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem — që të jetë ligj për umetin, nxjerrës i njerëzve nga errësira në dritë, udhëzues i tyre për në rrugën e drejtë.

Në të Allahu ka rrëfyer historitë e të parëve dhe të mëvonshmëve, krijimin e qiejve dhe tokave. Ka sqaruar në të: të lejuarën dhe të ndaluarën, bazat e edukatës dhe moraleve, gjykimet e adhurimeve dhe ndërveprimeve mes njerëzve, historitë e Profetëve dhe të devotshmëve, shpërblimin e besimtarëve dhe jobesimtarëve, përshkrimin e Xhennetit, vendbanimit të besimtarëve, dhe Zjarrit vendbanimit të jobesimtarëve.

Allahu e bëri Kuranin shërim për zemrat, sqarim për çdo gjë dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët. Allahu thotë:

“Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, udhërrëfyes, mëshirë dhe lajm të mirë (përgëzim) për muslimanët (të nënshtruarit ndaj Vullnetit të Allahut).” (Nahl: 89)

Është detyrë për të gjithë umetin ndjekja e Kur’anit dhe gjykimi sipas tij dhe sipas Sunnetit të saktë të Profetit — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Sepse Allahu e dërgoi Profetin e Tij për të dy botët, që tu shpjegojë atyre atë që u shpalli. Allahu thotë:

“(Ne i çuam të Dërguarit) me Shenja të qarta dhe me Libra, ndërsa edhe ty (O Muhammed) me përkujtuesin me këshilla (Kur’anin), që ti të mund t’u shpjegosh njerëzve qartë se çfarë u është zbritur atyre dhe që ata të mund të mendojnë.” (Nahl: 44)

Ehli Sunneti dhe Xhemati besojnë se:

Kurani është Fjala e Allahut: shkronjat dhe kuptimet e Tij. Prej Allahut erdhi e tek Ai do të kthehet. Është i zbritur e jo i krijuar. Me të vërtetë që Allahu e ka folur atë (Kuranin) dhe ja ka shpallur Xhibrilit, e Xhibrili — alejhis selam — ja zbriti Muhammedit — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kuranin e zbriti i Urti, i Mirinformuari për çdo gjë (Allahu) në gjuhë arabe të qartë dhe na u përcoll neve me ‘teuatur’ (në çdo brez qindra mijëra njerëz ua kanë mësuar Kuranin disa qindra mijëra të tjerëve) mënyrë e cila nuk lejon dyshim në të. Allahu thotë në suren Shuara:

“Dhe sigurisht që ky (Kur’ani) është shpallje nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhinëve). Të cilin Ruhu (Meleku Xhibril) i besueshëm e ka zbritur. Në zemrën tënde (O Muhammed) që të mund të jesh prej këshilluesve. (Ai Kuran është zbritur) në gjuhën e qartë Arabe.” (Shuara: 192-195)

 Kurani Fisnik është i shkruar në Leuhul-Mahfudh (sh.r: Pllakat e Ruajtura – atje lartë tek Allahu – ku gjendet çdo gjë që do të ndodhë deri në Kijamet). Ruhet në kraharorë (mësohet përmendësh), lexohet me gojë dhe është i shkruajtur në mus’hafe. Allahu thotë:

“Përkundrazi, ajetet e qarta  janë ruajtur në gjokset e atyre të cilëve u është dhënë dija e gjykimi.” (Ankebut: 49)

Dhe thotë:

Se ky është një Kur’an i nderuar. Në një Libër të ruajtur mirë (tek Allahu mbi qiej në El-Leuh el-Mahfudh). Të cilin askush nuk mund ta prekë veçse të pastërtit e të dëlirët (melekët). (Uakia: 77-79)

Ai është mrekullia më e madhe, e përjetshme e Profetit të Islamit, Muhammed ibn Abdullahit – lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ai është i fundit i Librave Qiellore. Nuk hidhet poshtë e as zëvendësohet (nga ndonjë libër pas tij). Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen e tij nga çfarëdo ndryshimi i mundshëm, apo zëvendësimi, shtese, apo mangësimi, deri në ditën që do ta ngrejë atë, dhe kjo do të ndodhë para Ditës së Gjykimit. Allahu thotë:

“Vërtet Ne, jemi Ne që e kemi zbritur Përkujtimin (Kur’anin) dhe padyshim që Ne e ruajmë atë.” (Hixhr: 9) (sh.r: Vini re përdorimin e foljes në kohën e tashme të vazhduar, që tregon për vazhdimësinë e kësaj ruajtje hyjnore)

Ehli Sunneti dhe Xhemati e konsiderojnë të dalë nga feja atë që mohon një shkronjë të Kuranit, ose që shton ose pakëson prej tij. Sipas kësaj ne besojmë me besim të palëkundshëm se çdo ajet nga ajetet e Kuranit, është i zbritur nga Allahu.

Kurani fisnik nuk ka zbritur krejt njeherësh te Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, por ka zbritur pjesë-pjesë, sipas ndodhive, ose si pergjigje ndaj pyetjeve që i drejtoheshin Profetit — alejhis selam — ose sipas situatës, gjatë njëzet e tre viteve.

Ai përbëhet nga 114 sure, ku 86 prej tyre zbritën në Meke dhe 28 prej tyre zbritën në Medine. Suret që kanë zbritur në Meke quhen Mekase dhe ata që zbritën në Medine quhen Medinase. Ndër to ka 29 sure që hapen me shkronja të ndara (elif lam mim, elif lam ra).

Kurani u shkrua në kohën e Profetit — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem — me organizimin e tij (sh.r: dhe renditja ishte me porosi hyjnore). Kuranin e shkruanin disa sahabë të nderuar -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Ata shkruanin me urdhër të Profetit — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, sa herë që zbriste ndonjë gjë nga Kurani. Pastaj këto shkrime u mblodhën në kohën e Ebu Bekrit, në një mus’haf, dhe në kohën e Uthmanit në një shkrim të vetëm (u unifikua shkrimi, nje shkrim zyrtar arab që ta kuptonin të gjithë). Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!

Ehli Sunneti dhe Xhemati përkujdesen që tua mësojnë Kuranin të tjerëve, ta mesojnë përmendësh, ta lexojnë, t’i mësojnë kuptimet e tij (tefsirin) dhe ta zbatojnë atë. Allahu – Lartësuar – thotë:

“(Ky është) një Libër  gjithë bekime e mirësi, të cilin Ne ta kemi zbritur ty me qëllim që ata të mendojnë e të thellohen në vargjet e tij. Dhe që njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të mund të përkujtohen.” (Sad: 29)

Ata adhurojnë Allahun e Lartësuar me leximin e Kuranit, sepse me leximin e çdo shkronje të Tij ka shpërblim, siç na ka mësuar Profeti — sal-lAllahu alejhi ue sel-lem — kur ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut për të ka shpërblim, dhe shpërblimet shkruhen me dhjetëfish vlerën e tyre. Nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një shkronjë, por ‘Elif’ është një shkronjë, ‘Lam’ një shkronjë dhe ‘Mim’ një shkronjë.” Trasmeton Tirmidhiu në kapitullin e vlerave të Kuranit me nr. (2910) dhe gjendet në Sahih et-Tirmidhij të Imam Albanit.

Ehli Sunneti dhe Xhemati nuk e lejojnë komentimin e Kuranit sipas mendimit të ndokujt. Kjo konsiderohet të flasësh për Allahun pa dije, dhe është vepër e shejtanit. Allahu – Madhëruar – thotë në suren Bekare:

O njerëz! Hani nga çfarë është e ligjshme dhe e mirë në tokë dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit. Padyshim që ai është për ju armik i hapur. Shejtani ju urdhëron ju vetëm të keqen dhe ‘fahsha’ (ç’është gjynah dhe e dënueshme), (si) dhe të thoni për Allahun ato që nuk i dini.” (Bekara: 168-169) (Sh.r: Shejtani ju shtyn të flisni për Allahun pa dije)

Por ata e komentojnë Kuranin me Kuran. (Sh.r: Mbledhin ajetet që kanë ardhur në një temë dhe ato pastaj shpjegojnë njëra-tjetrën). Pastaj me Sunnet, pastaj me fjalët e sahabëve, pastaj me fjalët e tabi’inëve, pastaj me gjuhën arabe me të cilën zbriti Kurani.

 

[1] Sh.r: Me këtë nuk është për qëllim se këta janë Librat e vetëm që Allahu u ka zbritur njerëzve, por ata të cilët ne ua dimë emrat. Sepse Allahu ka dërguar 124 mijë Profetë, prej tyre 315 kanë qenë të Dërguar, siç transmeton Ahmedi në ‘Musned’. Ka thënë sheikh Albani: “Zinxhiri i tij është i saktë.”/ ‘Mishkatul mesabiih’ 122/3. Shiko ‘Të Dërguarit dhe Dërgesat’ Umer Eshkar. Dhe dallimi mes Profetit dhe të Dërguarit është i qartë: Rasulit ( të Dërguarit) i shpallet Libër (sheriat, legjislacion) i ri, ndërsa Profeti punon me Librin e mëparshëm, nga këtu mund të themi se Librat kanë qenë shumë më tepër nga këta që janë përmendur me emër në Kuran. “…dhe thuaj: ‘Unë kam besuar në çdo Libër që Allahu e ka shpallur…’” (Shura: 15)

Përgatiti: Anis Agovi