Sqarimi rreth gjykimit të tekbireve kolektive para namazit të Bajramit

 

 

Sqarimi rreth gjykimit të tekbireve kolektive para namazit të Bajramit.

Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Pasi mora vesh atë që kishte publikuar i nderuari Ahmed Muhamed Xhemal –Allahu i dhëntë sukses aty ku është dhe kënaqësia e Tij- në disa gazeta ku ishte i habitur për ndalimin e tekbireve kolektive në xhamitë para namazit të Bajramit sepse është risi (bidat) dhe duhet të ndalohet. Është munduar ky person në shkrimin e publikuar që përmendëm më parë duke u argumentuar se tekbiret kolektive nuk janë risi dhe nuk na lejohet që t’i ndalojmë, dhe me mendimin e tij ishin edhe disa shkrimtarë të tjerë, dhe duke pasur frikë se mos u trubullohet kjo çështje atyre që nuk e dijnë të vërtetën kemi dëshirë që të sqarojmë se:

Origjina e tekbireve natën e Bajramit dhe para namazit të Bajramit të Fitrit, apo të Kurbanit dhe ditët që vijojnë pas tij është e ligjeruar dhe se për këtë ka shpërblime të mëdha, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar në lidhje me Fitër Bajramin:

“ (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” Bekare: 185.

Dhe në fjalën e Tij në lidhje me Kurban Bajramin dhe ditët që vijojnë pas tij:

“(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë.” Haxh: 28.

Dhe fjala e Tij:

All-llahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit).” Bekare: 203.

Pjesë përbërëse e dhikrit (përmendjes së Allahut) të lejuar në këto ditë të shënuara është dhikri i përgjithshëm dhe i përveçëm, siç na ka treguar për këtë suneti i pastër dhe puna e të parëve tanë të mirë.

Mënyra e dhikrit që lejohet është se çdo musliman e bën tekbirin me vetveten e tij duke e ngritur zërin në mënyrë që ta dëgjojnë njerëzit e ta pasojnë atë dhe t’i kujtojë edhe ato për të (dhikrin).

Sa i përket dhikrit kolektiv që është bidat bëhet duke ngritur zërin me tekbir një grup njerëzish –më shumë se dy veta- duke e filluar së bashku dhe e mbarojnë së bashku me një zë të vetëm nga fillimi e deri në fund dhe me mënyrë të veçantë. Kjo punë nuk ka origjinë në fe dhe as argument, ai është bidat në aspektin e mënyrës së tekbirit për të cilën nuk ka argument, dhe ai i cili e ndalon dhe e kundërshton këtë lloj tekbiri është në të drejtë, e kjo për shkak të fjalës së Pejgamberit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-: “Ai i cili vepron diçka që nuk kemi ardhë me të ajo është e refuzuar” dmth e refuzuar dhe jo e ligjituar. Dhe fjalës së tij -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-: “Kini kujdes nga gjërat e shpikura në fe, sepse çdo shpikje është humbje” e tekbiret kolektive janë të shpikura prandaj konsiderohen bidat.

E nëse punët e njerëzve e kundërshtojnë sheriatin (legjislacionin Islam) bëhet obligim ndalimi i tyre, sepse adhurimet bëhen vetëm nëse për to ka argument nga libri i Allahut apo suneti, e sa i përket fjalëve të njerëzve dhe mendimet e tyre nuk merren për bazë nëse kundërshtojnë argumentet e sheriatit.

Poashtu mesalih el mursele (gjërat që nuk ka për to argument të veçantë porse hyjnë në argumentet e përgjithshme) nuk mund që të përcaktojnë adhurimet, sepse adhurimet përcaktohen vetëm nga libri i Allahut, apo suneti, ose unanimi i prerë i dijetarëve. Ajo që është e lejuar është që muslimanët të bëjë tekbir në mënyrën legjitime nga sheriati e cila është bërja e tekbereve në vete.

Tekbirin kolektiv e ka kundërshtuar dhe ndaluar edhe shejhu i nderuar Muhamed ibn Ibrahim myftiu i vendeve të Arabis Saudite -Allahu e mëshiroftë- dhe ka nxjerre një fetva për këtë, gjithashtu edhe unë kam dhënë më shumë se një fetva për ndalimin e tyre, poashtu edhe Komisioni i Përhershëm për kërkimet akademike dhe fetvave ka nxjerr një fetva për ndalimin e tyre. Kurse shejhu i nderuar Hamud ibn Abdullah rt-Tuuejxheri -Allahu e mëshiroftë- ka shkruar një broshurë të dobishme ku tregon ndalimin dhe refuzimin e tij (ndaj ketyre tekbireve kolektive) dhe broshura e tij është e botur dhe në të ka argument të mjaftueshme që tregojnë ndalimin e këtyre tekbireve, e për këtë falënderimi i katon vetëm Allahu.

Sa i përket asaj që i nderuari Ahmed u argumentua me to në veprën e Umerit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- dhe njerëzve në Mina, nuk ka ndonjë argument sepse puna e Umerit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- dhe e njerëzve në Mina nuk konsiderohet si tekbire kolektive, përkundrazi ai është i lejuar sepse ai –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- e ngrite zërin e tij duke zbatuar sunetin dhe i përkujtonte me të njerëzit që të bënin tekbire, e çdo kush bënte tekbire në hesapin e tij dhe nuk kishte përputhje mes tekbirit të tyre dhe tekbirit të Umerit -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- në mënyrë që ta fillonin tekbirin me një zë dhe ta mbaronin me një zë, siç veprohet sot prej atyre që bëjnë tekbire kolektive. E njëjta gjë është me të gjitha transmetimet që vijnë nga të parët tanë të mirë -Allahu i mëshiroftë- dhe ai i cili pretendon të kundërtën e kësaj le të vij me argument.

Po e njëjta gjë është edhe me thirrjen për namazin e Bajramit, apo të teravive, apo namazit të natës, apo të vitrit të gjitha janë të bidate nuk kanë origjinë në fe.

Është transmetuar në hadithet e sakta se Pejgambri -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- e falte namazin e Bajramit pa ezan dhe pa ikamet, dhe nuk ka thënë askush nga dijetarët –bredan njohurive që kemi- se ka thirrje për namazin e Bajramit me fjalë të ndryshme dhe ai i cili e pretendon një gjë të tillë le të sjell argumentin, porse origjina është që nuk ka.

Prandaj nuk i lejohet askujt që të shpiki një adhurim qoftë me fjalë apo me vepra pa argument nga libri i Allahut apo suneti i saktë apo unanimit të prerë nga dijetarët –siç e përmendëm më lart- e themi këtë duke u bazuar në argumentet e përgjithshme të sheriatit që ndalojnë risitë dhe urdhërojnë kujdesin dhe ruajtjen nga bidatet, e prej këtyre argumenteve është fjala e Allahut:

A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu?” Shura: 21.

E prej tyre janë edhe dy hadithet që përmendem në fillim, është edhe hadithi i Pejgamberit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-: “Ai i cili shpik diçka në këtë që kemi ardhur me të e cila nuk është prej saj ajo është e refuzuar” hadithi është i saktë unanimisht, dhe fjala e tij -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-: “E më pas fjala më e mirë është fjala e Allahut, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të-, e gjërat më të këqija janë shpikjet në të, e çdo bidat është humbje” transmeton Muslimi në “Sahihun e tij”.

Hadithet dhe transmetimet në këtë aspekt janë të shumtë, dhe e lusim Allahun që të na japi neve sukses dhe të nderuarit Ahmed dhe të gjithë vëllezërve në kuptimin e fesë dhe qëndrueshmërinë në të, dhe të na bëj të gjithëve thirrësa në të drejtë dhe ndihmuesa në të, dhe të na ruaj neve dhe të gjithe muslimanët nga çdo gjë që bie në kundërshtim me sheriatin, me të vërtetë Ai është Bujar e Fisnik.

Paqja dhe nderimet qofshin mbi pejgamberin tone Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

 

Shkëputur nga “Mexhmuu fetaua ue mekalat”: 13/20-21

të dijetarit të nderuar Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz -Allahu e mëshiroftë-

Përktheu Ylli Rama