Dëgjova atë që kishte shpërndarë gazeta “En-Nedueh” në numrin e saj me datë 30/11/1384 hixhri me titull: “Nderimi i nënës . . . dhe nderimi i familjes” dhe vura re se autori kishte marrë disa gjëra nga gjërat që i kanë shpikur perëndimorët të cilët i kanë veçuar një ditë prej vitit për të festuar për nënën, si dhe përmendi diçka që e kanë anashkaluar atë mendimtarët të cilët e kanë shpikur këtë festë e cila është: gjendja e fëmijëve të cilët nuk e kanë nënën e tyre, mjerimin e tyre dhe mërzitjen kur shikojnë se si fëmijët e tjerë e festojnë festën e nënës së tyre ndaj dhe solli si ide që të festonte e gjithë familja dhe e arsyetojë se përse Islami nuk e ka bërë këtë festë; sepse Islami e ka bërë të obligueshme nderimin e nënës dhe mirësjelljen ndaj saj në çdo kohë ndaj nuk është e nevojshme që të veçohet një ditë e vitit ku të nderohej nëna.
Autori e qëllojë kur u arsyetua me këtë ndaj Islamit, si dhe kur tregoj të këqijat që ka ky festim, të këqija që i kanë anashkaluar ata të cilët e kanë shpikur këtë festë, porse ai nuk tregoj se në këtë risi ka kundërshtim të qartë ndaj argumenteve që kanë ardhur nga i dërguari i Allahut –salallahu alejhi ue selem-, si dhe nuk ka përmendur dëmet, përngjasimin me idhujtarët e mohuesit. Ndaj dëshiroj që me këtë shkrim të shkurtër t’i tërheq vërejtjen autorit dhe të tjerëve për gjërat e shpikura që ka kjo festë dhe festat e tjera të ngjashme me të, prej festave që i kanë shpikur armiqtë e Islamit dhe ata që nuk kanë njohuri rreth tij, derisa e prishën imazhin e saj dhe i larguan njerëzit prej saj. E për shkak të kësaj pati dëme dhe përçarje që i din vetëm Allahu i Lartësuar.
Është vërtetuar në hadithet e sakta nga i dërguari i Allahut –salallahua lejhi ue selem- se ka tërhequr vërejtjen prej risive në Fe, si dhe prej përngjasimit me armiqtë e Allahut prej çifutëve, krishterëve dhe armiqtë e tjerë prej idhujtarëve.
I dërguari i Allahut –salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Ai i cili shpik diçka në çështjen tonë e cila nuk është prej saj ajo është e refuzuar” transmeton Buhariu dhe Muslimi, kurse në tekstin e Muslimit: “Ai i cili vepron diçka që nuk është prej çështjes sonë është e refuzuar” kuptimi i kësaj është: se ajo vepër është e refuzuar personit që e shpiku atë.
I dërguari i Allahut –salallahu alejhi ue selem- thoshte në fjalimin e xhumasë: “Më pas: Fjala më e mirë është fjala e Allahut, e udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit –salallahu alejhi ue selem-, punët më të këqija janë risitë në fe, e çdo bidat është humbje” transmeton imam Muslimi në sahihun e tij.
Nuk ka dyshim se veçimi i një dite të vitit për të festuar në të nderimin e nënës apo të familjes është prej risive të cilën nuk e ka vepruar i dërguari i Allahut –salallahu alejhi ue selem- e as shokët e tij ndaj të cilëve është kënaqur Allahu, ndaj është e obliguar që mos ta kryejmë atë festim si dhe tua tërheqim vërejtjen njerëzve prej saj, e të mjaftohemi me atë që ka lejuar Allahu dhe i dërguari i Tij.
E përmendëm më parë se autori përmendi se legjislacioni Islam e ka nderuar nënën si dhe ka nxitur që të sillet mirë ndaj saj në çdo kohë, dhe ai të vërtetën ka thënë për këtë. Është obligim që muslimanët të mjaftohen me atë që e ka lejuar Allahu atyre prej mirësjelljes ndaj nënës si dhe ta madhërojnë atë, të sillen mirë me të, si dhe t’i binden asaj në çdo kohë, por duhet që të ruhen nga gjërat e shpikura për të cilën Allahu ua ka tërhequr vërejtjen, e të cilat të shpien në përngjasimin me armiqtë e Allahut, duke i pasuar ato e duke konsideruar të mirë atë që ata e konsiderojnë të mirë prej gjerave të shpikura. Si dhe kjo nuk duhet të jetë e veçantë vetëm për nënën sepse Islami e ka obliguar mirësjelljen ndaj të dy prindërve, nderimin e tyre dhe bamirësinë ndaj tyre si dhe mbajtjen e lidhjeve me të gjithë të afërmit. Ai i Lartësuari i ka ndaluar ata që të tregojnë mosbindje ndaj tyre apo t’i shkëpusin lidhjet me të afërmit e tyre. Por i ka dhënë nënës më shumë vëmendje dhe mirësjellje sepse kujdesia e saj me fëmijën është më e madhe si dhe ajo ka më shumë mundim në barrën e saj, gji dhënien dhe edukimin e tij.