Thirrja për tek Allahu dhe moralet e thirrësve

November 17, 2013

Çështja e katërt: Sqarimi i moraleve dhe cilësive me të cilat duhet të pajisen dhe të stolisen thirrësat.

Përsa u përket moraleve të thirrësve dhe cilësive të tyre me të cilat duhet të pajisen, këtë gjë e ka qartësuar Allahu i Lartësuar në ajete të shumta dhe vende të ndryshme në librin e Tij fisnik.
Prej tyre mund të përmendim:

Së pari: Sinqeriteti.
Është detyrë për thirrësin që të jetë i sinqertë në thirrjen për hir të Allahut të Lartësuar, të mos ketë për qëllim syfaqësinë apo famën, mburrjen e njerëzve apo lavdërimin e tyre. Por të ftojë  për tek Allahu duke patur për qëllim fytyrën e Allahut, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:”Thuaj kjo është rruga  ime që ftoj për tek Allahu.” | Surja Jusuf: 108 |

Po ashtu, Allahu i Lartësuar ka thënë:

”Kush është më i mirë  kur flet sesa ai i cili fton për tek Allahu.” | Surja Fusilet: 33 |

Pra, është detyrë për ty që të jesh i sinqertë për hir të Allahut të Lartësuar duke qënë se kjo është nga moralet më të rëndësishme. Gjithashtu, sinqeriteti është nga cilësitë më të mëdha që duhet të jenë pjesë e thirrjes, duke dëshiruar me të fytyrën e Allahut dhe botën tjetër.

Së dyti: Argumentimi.
Të folurit me prova dhe fakte gjatë thirrjes tënde, pra të folurit me dije duke mos qenë i paditur rreth asaj që flet. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuran: Thuaj: Kjo është rruga ime dhe ftoj për tek Allahu me dije.”  | Surja Jusuf: 108 |

Dija është e domosdoshme dhe marrja e saj është e detyrueshme, prandaj kij kujdes o rob i Allahut nga të folurit rreth diçkaje për të cilën nuk ke dituri, sepse injoranti shkatërron dhe nuk ndërton, prish dhe nuk përmirëson. Ndaj kije frikë Allahun o rob i Allahut. Kij kujdes e mos fol për Allahun pa dije, fto në diçka vetëm pasi të kesh dije rreth saj dhe njohuri të thellë për atë që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pra basijrah është dije e kuptuar mirë e cila është e detyrueshme gjatë thirrjes.

Është detyrë po ashtu për nxënësin e dijes dhe thirrësin (davetxhiun) që të ketë dije rreth asaj tek e cila fton duke e shqyrtuar mirë me argument. Nëse i bëhet e qartë duke e ditur se ajo është e vërteta atëherë le të ftojë në atë gjë, qoftë kjo në lidhje me kryerjen e një vepre apo me lënien e saj. Kështu ai fton në kryerjen e një vepre nëse ajo është bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe po ashtu fton në lënien e një vepre të cilën e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguri i Tij me argument dhe dije.

E treta: Të qënurit i përmbajtur dhe i butë në thirrjen tënde, përballues dhe durimtar ashtu siç bëri i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ki kujdes dhe ruaju nga nxitimi, nga vrazhdësia dhe ashpërsia. E ke detyrë të tregosh durim, maturi dhe butësi në thirrjen tënde. Kemi përmendur më përpara (në një kapitull tjetër) disa argumente për këtë çështje, siç është p.sh. fjala e Allahut të Lartësuar:

”Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë, dhe polemizo me ata me mënyrën më të mirë.”  | Surja En Nahl: 125 |

Po ashtu, fjala e Allahut të Lartmadhëruar: ‘Ti ishe i butë me ata për shkak se Allahu të dhuroi mëshirë.” | Surja Ali Imran: 159 |

Gjithashtu, fjala e Allahut të Lartësuar në historinë e Musës dhe Harunit:

” Flisni atij (Faraonit) fjalë të buta se ndoshta ai do përkujtohet e do frikësohet.” | Surja Ta-Ha: 44 |

Ndërsa në një hadith të saktë ka thënë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: ”O Allah, kush merr përsipër një çështje të umetit tim dhe tregohet i butë me ta, tregohu i butë me atë. Ndërsa kush merr përsipër një çështje të umetit tim dhe ua vështirëson atyre, vështirësoja atij.”
E transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij.

Kështu është detyrë për ty o rob i Allahut të jesh i butë në thirrjen tënde dhe të mos ua vështirësosh gjërat njerëzve, të mos i largosh ata nga feja dhe as të mos i largosh me vrazhdësinë ose me injorancën tënde. Mos përdor me ata metodë të ashpër që prish dhe shkakton dëm. Mbetet detyrim për ty të jesh i përmbajtur, durimtar i madh, të flasësh shtruar me fjalë të buta e të mira deri sa të lësh gjurmë në zemrën e vëllait tënd musliman, derisa të ndikosh tek ai të cilin po e fton, derisa të bëhet miqësor me ftesën tënde dhe ta pëlqejë atë duke u ndikuar prej thirrjes. Në këtë mënyrë ai do të lavdërojë për shkak të asaj thirrjeje që i ke bërë dhe do të falenderojë që e thirre.  Ndërsa vrazhdësia i largon njerëzit dhe nuk i afron, ajo i përçan nuk i bashkon.

Gjithashtu prej moraleve dhe cilësive me të cilat është e nevojshme të pajiset një thirrës, madje është detyrë për të që t`i posedojë është edhe:

Të vepruarit në veten e tij me ato gjëra tek të cilat thërret në to.
Njeriu duhet të jetë shembull i mirë për të tjerët në lidhje me gjërat që fton dhe jo të bëhet si ai i cili i fton njerëzit në diçka por pastaj e lë vet atë vepër pa e vepruar, ose i ndalon të tjerët nga diçka dhe e bën vetë atë vepër. Kjo është gjendja e njerëzve të humbur, Allahu na ruajt nga kjo gjë.

Ndërsa besimtarët fitimtarë (që sjellin dobi) janë thirrësat e së vërtetës të cilët punojnë me të vërtetën, janë aktivë me të. Ata shpejtojnë për tek e vërteta duke u larguar nga çdo gjë që i pengon për të arritur tek ajo. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

”O ju të cilët keni besuar, pse e thoni atë që nuk e veproni?”

”Tek Allahu është shumë e urryer që të thoni atë që nuk e veproni.”

| Suretu es-Saf:2-3 |

Allahu i Lartësuar ka thënë në qortimin që u ka bërë jehudëve për shkak se ata i urdhërojnë njerëzit për vepra të mira dhe i harrojnë vetet e tyre:

‘A po i urdhëroni njerëzit për vepra të mira ndërsa vetet tuaja po i harroni, ndërkohë që ju e lexoni librin. A nuk logjikoni?” | Suretu el Bekare: 44 |

Është saktësuar nga i Dërguari i Allahut, sal-la Allahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: ”Do të merret njeriu në ditën e gjykimit dhe do hidhet në zjarr, ndërkohë që zorrët i dalin nga barku teksa ai rrotullohet rreth tyre siç rrotullohet gomari rreth mullirit. Pastaj mblidhen rreth tij banorët e zjarrit dhe i thonë atij: -”O filan, si është puna jote? A nuk ke qënë ti që na urdhëroje për vepra të mira dhe na ndaloje nga të këqijat?!

Ai thotë: – Po, është e vërtetë. Unë isha ai që u urdhëroja për vepra të mira por vetë nuk i veproja ato, dhe u ndaloja nga veprat e këqija por i veproja vet ato.”
Muttefekun alejhi.

Kjo është gjendja e atij personi i cili fton për tek Allahu, urdhëron për vepra të mira dhe ndalon nga të këqijat, pastaj fjala e tij e kundërshton veprën që ai bën ndërsa vepra bie ndesh me fjalën që ai thotë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga kjo gjë!

Po ashtu prej moraleve më të rëndësishme dhe më madhështore në të drejtën e thirrësit është të punuarit me atë që ai thërret dhe të frenohet nga ajo gjë nga e cila ai i ndalon të tjerët prej saj. Nga ana tjetër thirrësi duhet të pajiset me moral të lartë dhe sjellje të lavdërueshme, me durim dhe vendosmëri. Ai duhet të ketë sinqeritet në thirrjen e tij, të bëjë përpjekje për t’a përhapur të mirën tek njerëzit dhe t’i largojë ata nga e kota. Ai duhet të lutet për udhëzim për ta, veprim ky i cili është prej moraleve të virtytshme që thirrësi të bëjë lutje për udhëzimin e atyre që u bën ftesë (davet), duke i thënë për shembull atij për të cilin lutet: ”Allahu të udhëzoftë”, ”Allahu të dhëntë sukses në pranimin e së vërtetës”, ose ”Allahu të ndihmoftë në pranimin e së vërtetës”. Gjithashtu, t’a ftosh dhe t’a udhëzodh atë e njëkohësisht të bësh durim ndaj dëmit të tij, por pavarësisht nga kjo lutu për të për udhëzim. Ka thënë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur i thanë për fisin Deus (fis arab) se ata kanë rënë në gjynahe: ”O Allah, udhëzoje fisin Deus dhe jepu atyre (mirësi, falje, mëshirë). Kështu (o ti thirrës) lutu për udhëzim dhe sukses në pranimin e së vërtetës për atë njëri të cilin e thërret, duke duruar dhe qëndruar fort tek kjo gjë pa u dëshpëruar dhe pa i humbur shpresat (për udhëzim), duke thënë gjithmonë fjalë të mira, pa treguar vrazhdësi e as duke shfaqur ashpërsi, ose duke thënë fjalë të këqija të cilat bëjnë që të urrehet e vërteta.

Kurse ai njeri i cili bën padrejtësi dhe i kalon kufijtë çështja e tij ndryshon ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

”Mos polemizoni ndryshe me ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) vetëm se me mënyrën më të mirë, përveç atyre që janë mizorë.” | Suretu el Ankebut: 46 |

Njeriu i padrejtë i cili e lufton thirrjen islame me të keqe dhe kokëfortësi duke sjellë dëme, ky njëri ka gjykim tjetër. Ai edukohet me burgosje (nga shteti) ose me diçka tjetër sipas gradës së padrejtësisë së tij. Por nëse ti je në gjendje për ta përballuar dëmin e shkaktuar prej tij, atëherë duhet të bësh durim ndaj tij duke e kritikuar atë e duke polemizuar me atë në mënyrën më të mirë. Ta falësh atë për disa dëme personale që të ka shkaktuar ashtu siç duroi i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij me mënyrën më të mirë.

 

Autor: Sheih Abdul Aziz bin Bazi, Allahu e mëshiroftë!

Marrë nga broshura: ”Thirrja për tek Allahu dhe moralet e thirrësve”

Dosje: ,

Loading...