Pyetje: Pasiqë e mësuam se parimisht bojkotimi i bidatcinjve është obligim nëse bidatciu këmbëngul në bidatin e tij, a është me vend të themi se duhet bojkotimi i atij personi i cili nuk e bojkoton bidatciun, perkundrazi përzihet me ta dhe nuk i bojkoton ata?
Përgjigje: Më përpara, në kohën e Profetit salallahu alejhi ue selem bojkotimi i bidatciut ka qenë i kufizuar, ndërkohë që njerëzit tani janë zgjeruar shumë, si është e mundur? Psh një bidatci, nëse ti mendon se duke i bërë davet ndoshta kthehet ose ndoshta ti mendon se duke e bojkotuar ai zhytet akoma më thellë në humbjen e tij ose ndoshta kjo bëhet shkak që ta marrin në gjirin e tyre sektet e ndryshme, ndërkohë që ti duhet të marrësh në konsideratë cfarë është më e dobishme për Islamin dhe muslimanët dhe jo të bojkotosh për interesin tënd vetjak. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë : “ Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë:(ndër to) kur ta takojë t`i japë selam”. Nëse ti mendon se duke e bojkotuar ai do kthehet tek Allahu dhe do pendohet nga gabimi i tij, në këtë rast të lejohet bojkotimi i tij. Hexhri sic e thamë më lart, në kohën e Profetit salallahu alejhi ue selem ka qenë i kufizuar. Profeti salallahu alejhi ue selem bojkotoi ata të tre që nuk morën pjesë në luftë, bojkotoi gratë e tij një muaj dhe bojkotoi sahabiun që ishte lyer me parfum grash, uallahul mustean. Ndaj nuk duhet që të zgjerohemi në cështjen e hexhrit ashtuqë mos të bëhemi shkak për të larguar njerëzit nga Suneti dhe nga hajri. Na ngelet për tu sqaruar: Bojkotimi i atij që nuk bojkoton bidatcuin. Ky është zgjerim i tepruar. Nuk ke argument ku ta mbështesësh këtë:Kush nuk bojkoton bidatciun, duhet ta bojkotojmë. Nuk mund të krahasohet me thënien që thuhet se kush nuk e konsideron kafirin kafir , ai është vetë kafir sepse edhe vetë kjo shprehje nuk qëndron në cdo rast, sepse shprehja e saktë është: Kush nuk e konsideron kafir kafirin për të cilin të gjithë janë dakort. Psh nëse bëhet fjalë për një cifut apo të krishterë, duhet ta konsiderosh bindshëm kafir, e nëse nuk e konsideron ky është vetë kafir sepse ka përgënjeshtruar Kuranin ku i cilëson cifutët dhe të krishterët kafira, por nëse dikush thotë se lënësi i namazit nuk është kafir ndërsa tjetri thotë është kafir, kjo është cështje që ka debat mes dijetarëve.
Shejh Mukbil bin Hadij el Uadi`ij (Allahu e mëshiroftë)
Marrë nga libri: El-Exhuibet es-sedideh fi fetaual akideh fq 169 – Në internet
Përktheu Shuajb Rexha