Pyetje: Cilat janë veprat më të mira pas obligimeve?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Shejhul-Islam Ibn Tejmijes i’u drejtua pyetja e mëposhtme: Me mirësi, Shejhu i cili ndoqi gjurmët e gjeneratave të mëparshme dhe ishte shembull për gjeneratat e mëvonshme, njeriun më të ditur që kam takuar ndonjëherë në lindje apo perëndim Tekiju-Din Ebu’l-Abas Ahmed ibn Tejmije, deshi të më tregonte se cilat janë veprat më të mira pas obligimeve. Ai (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj kështu:
Sa i takon pyetjes, vepra më e mirë pas obligimeve ndryshon nga njëri person tek tjetri, në varësi të asaj që janë në gjendje të bëjnë dhe çfarë është më e mira në çdo kohë të caktuar. Pra, nuk është e mundur të jepet një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe e detajuar që u përshtatet të gjithëve. Por, ajo për të cilën bien dakord ata që kanë njohuri për Allahun dhe urdhërat e Tij, është se përmendja e vazhdueshme e Allahut (dhikri) është gjëja më e mirë me të cilën njeriu mund të merret në përgjithësi. Prandaj, hadithi i Ebu Hurejrës i transmetuar nga Muslimi thotë: “Muferidunët kanë shkuar përpara. Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, kush janë muferidunët? Tha: Ata burra dhe gra që e përmendin shumë Allahun.”
Ebu Daudi transmeton nga Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “A t’ju tregoj për veprat tuaja më të mira dhe atë që është më e pastërta te Zoti juaj, ato që ju ngrenë më shumë në pozitë dhe janë më të mira sesa të jepni ar dhe argjend (lëmoshë), dhe më të mira se të takoheni me armikun dhe t’i godisni në qafë apo t’ju godasin në qafë? Ata thanë: Po, o i Dërguar i Allahut. Ai tha: Përkujtimi i Allahut (dhikri).”
Ka shumë argumente nga Kurani që e mbështesin këtë.
Më e pakta që duhet të bëjë njeriu është të këmbëngulë në leximin e dhikreve që janë transmetuar nga mësuesi i të mirës dhe prijësi i të devotshmëve (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), si p.sh.; të lexojë në kohë të caktuara dhikret në fillim dhe në fund të ditës, kur fle dhe zgjohet nga gjumi dhe pas namazeve të caktuara. Dhikret që thuhen në raste të caktuara si ai që thuhet kur hahet dhe pihet, kur vishesh, kur kryen marrëdhënie, kur hyn ose del nga shtëpia, xhamia ose banja, kur bie shi, kur dëgjohen bubullima dhe kështu me radhë.
Për këtë temë janë përpiluar libra të quajtur “Amel el-Jevm ue’l-Lejleh – (Veprimet e ditës dhe të natës).[1]
Pastaj duhet këmbëngulur në përmendjen e Allahut në përgjithësi dhe më i miri dhikër është fjala ‘La ilahe il-Allah’.
Mund të ketë situata ku disa lloje të dhikrit janë të preferueshme, si p.sh. thënia SubhanAllah, uel hamdu-Lilah, Allah Ekber, ue la haule ue la kuvete il-la Bilah.
Për më tepër, njeriu duhet të kuptojë se çdo gjë që gjuha shqipton ose zemra imagjinon prej atyre veprave që e afrojnë njeriun me Allahun, si; kërkimi i diturisë apo mësimdhënies, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, është një lloj dhikri apo përkujtimi i Allahut.
Prandaj, ai që merret me kërkimin e diturisë së dobishme pas kryerjes së detyrave, ose që i bashkohet një tubimi për të mësuar vetë ose për të mësuar të tjerët të cilin Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë quajtur fikh ose kuptim i hollë, edhe kjo gjithashtu është prej formave më të mira të përkujtimit të Allahut (dhikrit).
Nëse mendon për këtë, nuk do të gjesh shumë dallime në mendimet e gjeneratës së hershme lidhur me atë se cila është vepra më e mirë. Sa herë që njeriut i ngatërrohen gjërat ai duhet të falë istiharen ashtu siç është përcaktuar në sheriat, sepse ai që i lutet Allahut duke kërkuar prej Tij atë që është më e mira (istiharan) nuk do të pendohet. Ai duhet t’a praktikojë atë dhe të bëjë shumë dua, sepse ky është çelësi i të gjitha mirësive. Nga ana tjetër nuk duhet të nxitohet dhe të thotë; “U luta por nuk mora përgjigje”. Ai duhet të synojë kohët me vlera të veçanta si; fundi i natës, kohët menjëherë pas namazit të obliguar, koha e ezanit, kur bie shi etj.
Burimi: “El Vesijetu el Xhamia li hajri ed Dunja vel Ahirah”.
Autor: Shejhul Islam Ibn Tejmije.
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————
[1] Një nga librat më të mirë të shkruar në këtë temë është libri i vogël i titulluar “Sahih el-Kelim et-Tajib”, i cili është produkt i librit të Shejhul-Islam Ibn Tejmijes i quajtur ‘El-Kelim et-Tajib’ (Fjala e bukur), e verifikuar dhe saktësuar nga dijetari i madh Albani (Allahu e mëshiroftë).