Hytbe – Mbikqyrja e Allahut

 Në këtë hytbe do të flasim shkurtimisht për mbikqyrjen e përhershme të Allahut ndaj nesh.

Besimtari duhet gjithmonë të ketë parasysh se Allahu e ka nën mbikqyrje njeriun gjatë zbatimit të urdhërave të Tij, largimit nga ndalesat e Tij, si dhe në të gjitha fjalët dhe veprat e tij.

Kur besimtari është i vetëdijshëm që Allahu e ka nën mbikqyrje ai bën kujdes dhe e ka frikë Allahun, e përmbush hakun e Allahut siç duhet, largohet nga gjërat e ndaluara siç duhet, dhe nuk i kalon kufijtë e Allahut.

Kur besimtari hutohet dhe harron që Allahu e ka nën mbikqyrje, bie në gabime dhe gjynahe që nuk i takon të bier.

Hutimi është shtegu i shejtanit i cili shpie në lënie të zbatimit të urdhërave dhe në kryerjen e gjynaheve.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Shumë prej xhinëve dhe njerëzve janë banorë të Xhehenemit. Ata kanë mendje dhe zemra me të cilat nuk meditojnë e as mësojnë, kanë sy me të cilët nuk shohin atë nga e cila kanë dobi. Kanë veshë me të cilët dëgjojnë por nuk u arrin dobia e asaj çfarë dëgjojnë në zemra. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më të humbur. Ata janë të hutuarit.” El Earaf; 179.

Ata janë të hutuar dhe të pavëmendshëm ndaj arsyes pse janë krijuar dhe pse ekzistojnë, prandaj duhet medoemos përkujtimi se Allahu na ka nën mbikqyrje. Duhet ky përkujtim gjatë përmbushjes së detyrimeve, për largimin nga ndalesat, për mos-tejkalimin e kufijve të Allahut në mënyrë që të mos na mashtrojë shejtani, të mos biem në gjynahe me të cilat i bëjmë dëm vetes dhe të mos e zemërojmë Allahun.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Mbështetju Allahut, të Plotfuqishmit, Mëshiruesit. Ai i cili të sheh kur je në namaz, në këmbë dhe në sexhde. Me të vërtetë që Ai është Dëgjuesi, i Gjithëdituri.” Esh Shuara; 218-220.

Pra, duhet t’a kemi parasysh këtë gjatë adhurimeve tona; që Allahu na sheh, dëgjon dhe di çdo gjë në lidhje me atë adhurim që po bëjmë. Kur e kemi parasysh këtë gjë atëherë e kryejmë adhurimin në formën më të mirë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Në cilëndo gjendje adhurimi të jesh o Muhamed edhe në gjendjen tënde më të mirë, kur po lexon Kuran dhe sa herë që kryen ndonjë vepër, me të vërtetë që Ne jemi dëshmitarë kur hyni në atë adhurim dhe përgjatë tij.” Junus; 61.

Allahu është dëshmitar ndaj nesh kudo që të jemi. Shikon të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet tona, sheh të gjitha veprat tona.

Prandaj duhet t’a kemi parasysh këtë gjë në çdo fjalë dhe vepër që bëjmë, në mënyrë që të themi dhe veprojmë vetëm gjëra që e kënaqin Allahun dhe t’u largohemi gjërave që e zemërojnë Allahun.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Kurdo që mblidheni fshehtaz tre prej jush Allahu është i katërti (që ju sheh, dëgjon dhe di çdo gjë për ju). Sa herë që mblidheni pesë Ai është i gjashti. Edhe kur jeni më pak se kaq apo më shumë sërish Ai është me ju me dijen, dëgjimin dhe shikimin e Tij kudo që të jeni.” El Muxhadele; 7.

Allahu është me ne me dijen e Tij kudo që jemi. Ai e di vendodhjen tonë, di çfarë synimesh dhe çfarë interesash kemi në zemër. Prandaj duhet të kemi kujdes çfarë veprojmë ngase asgjë nuk i fshihet Atij.

Allahu është mbi Arsh mbi të gjitha krijesat, por dija e Tij është në çdo vend. Ai di çdo gjë, nuk i fshihet dot asgjë dhe nuk ndodh asgjë pa e ditur Ai.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai është në dijeni për shikimet e fshehta dhe çfarë fshehin zemrat.” Gafir; 19.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Atij nuk i fshihet asgjë çfarë ka në tokë e as në qiej.” Ali Imran; 5.

Përderisa Ai di çfarë fshehim në zemra madje edhe çfarë shikojmë fshehurazi, duhet të tregojmë kujdes çfarë themi dhe veprojmë.

Duhet t’a kemi parasysh këtë gjë gjithmonë kur kryejmë adhurime ndaj Allahut.

Në hadithin e Xhibrilit të cilin e kemi trajtuar edhe herë të tjera, Profeti ﷺ i shpjegoi Xhibrilit (alejhi selam) se çfarë është Ihsani. Profeti ﷺ tha:

Ihsani është t’a adhurosh Allahun si të jesh duke e parë Atë. Nëse nuk arrin t’a adhurosh në këtë mënyrë atëherë duhet t’a adhurosh duke e ditur se Ai të sheh ty dhe se nuk i fshihet asgjë.”

Kur njeriu e adhuron Allahun si të jetë duke e parë Atë, ose duke e ditur që Allahu e sheh dhe di çdo gjë rreth tij dhe adhurimit të tij, atëherë njeriu e kryen adhurimin në formën më të mirë dhe me sinqeritet.

Duhet që njeriu t’a adhurojë Allahun në çdo adhurim si të ishte duke e parë Atë, ose duke qenë i vetëdijshëm se Allahu e sheh dhe di çdo gjë rreth tij dhe adhurimit të tij.

 

_________________Hytbja e dytë_________________

 

Profeti ﷺ ka thënë: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh. Veprën e keqe pasoje me të mirë dhe e keqja fshihet.

Sillu me njerëzit me moral të mirë.”

Trasmeton Tirmidhiu me zinxhir të mirë.

۞۞۞

‘Ki frikë Allahun kudo që të jesh.’: Duke qenë se Allahu na sheh kudo që jemi, jemi urdhëruar t’a kemi frikë Allahun në çdo situatë dhe në çdo gjendje, në shtëpi, në rrugë, në xhami, në udhëtim, në vendin tënd, në vështirësi, në gjendje të mirë, në sëmundje, në shëndet etj. Pra në çdo gjendje dhe në çdo situatë, në të gjitha çështjet e tij dhe të gjitha marrëdhëniet e tij, në marrëdhëniet tregtare, me komshinjtë, me kushurinjtë, me prindërit etj.

Veprën e keqe pasoje me të mirë dhe e keqja fshihet.’: Sa herë që njeriu bie në ndonjë gjynah duhet të shpejtojë të bëjë vepra të mira, sepse veprat e mira i fshijnë veprat e këqija.

Sillu me njerëzit me moral të mirë.’: Sillu me njerëzit me çehre të mirë, fytyrë të buzëqeshur, fjalë të mira, jo me turinj, jo me nënçmime, fjalë të ulëta, sharje, ofendime, mosrespekt etj.

Ibn Abasi (radiAllahu anhuma) transmeton se Profeti ﷺ i ka thënë:

O djalosh! Po të mësoj disa fjali të cilat janë rregulla të rëndësishme:

Ruaji kufinjtë e Allahut (zbatoji urdhërat e Allahut dhe largoju ndalesave të Allahut) dhe Allahu do të të ruajë ty. Ruaji kufinjtë e Allahut dhe Allahun do t’a kesh në ndihmë ndaj teje kurdo që të kesh nevojë.

Kur të nevojitet diçka kërkoja Allahut. Kur të duhet ndihmë kërkoji ndihmë Allahut.

Dije se nëse mblidhen mbarë umeti, të gjithë njerëzit dhe xhinët bashkë për të të ndihmuar dhe për të të bërë ndonjë dobi, nuk të ndihmojnë dot e as nuk të bëjnë dobi përveç asaj që të ka shkruar Allahu.

Nëse mblidhen mbarë umeti, të gjithë njerëzit dhe xhinët bashkë për të të dëmtuar në ndonjë aspekt, nuk të dëmtojnë dot përveç asaj që të ka shkruar Allahu.

Lapsat që kanë shkruar Caktimin e Allahut janë ndalur dhe boja mbi fletët ku është shkruar Caktimi i Allahut është tharë.

Trasmeton Tirmidhiu me zinxhir të mirë.

۞۞۞

‘Ruaji kufinjtë e Allahut’: Allahu të sheh kudo që je, kështu që zbatoji urdhërat e Allahut dhe largoju ndalesave të Tij.

‘Ruaji kufinjtë e Allahut dhe Allahu do të të ruajë ty.’: Shpërblimi është sipas veprës. Ai i cili i zbaton urdhërat e Allahut dhe u largohet ndalesave, Allahu e ruan nga çdo e keqe.

‘Kur të nevojitet diçka kërkoja Allahut. Kur të duhet ndihmë kërkoji ndihmë Allahut.’ : Allahu është i Pasuri i Cili ka mundësi të të japë çdo gjë dhe të të ndihmojë për çdo gjë. Pasi që i kërkon Allahut çfarë ke nevojë dhe pasi që i ke kërkuar ndihmë dhe i je mbështetur Atij, bën shkaqet e lejuara për arritjen e asaj që synon duke e mbajtur shpresën vetëm tek Allahu.

‘Nëse mblidhen mbarë umeti, të gjithë njerëzit dhe xhinët bashkë për të të dëmtuar në ndonjë aspekt, nuk të dëmtojnë dot përveç asaj që të ka shkruar Allahu.

Lapsat që kanë shkruar Caktimin e Allahut janë ndalur dhe boja mbi fletët ku është shkruar Caktimi i Allahut është tharë.’: Pra, vepro atë që kërkon Allahu dhe kije frikë Atë.

Mos e lër zbatimin e urdhërave të Allahut për interes ndaj ndokujt që të përfitosh të mira dhe dobi nga njerëzit, sepse edhe sikur të mblidhen i gjithë umeti njerëzit dhe xhinët bashkë, që nga koha kur u dërgua Profeti ﷺ e deri në Ditë të Gjykimit, nuk të ndihmojnë dot me diçka më shumë se ajo çfarë ka Caktuar Allahu.

As mos e lër zbatimin e urdhërave të Allahut nga frika ndaj ndokujt sepse edhe sikur të mblidhen i gjithë umeti njerëzit dhe xhinët bashkë, që nga koha kur u dërgua Profeti ﷺ e deri në Ditë të Gjykimit, nuk të bëjnë dot dëm asgjë përveç nëse ka caktuar Allahu paraprakisht të të ndodhë ndonjë gjë me ta apo pa ta.

Në një trasmetim tjetër jo tek Tirmidhiu, thuhet:

Ruaji kufinjtë e Allahut dhe Allahun do t’a kesh në ndihmë ndaj teje kurdo që të kesh nevojë.

Bindju Allahut kur je në rehati e mirësi dhe ka për të t’u gjendur kur të kesh nevojë për Të kur të jesh në vështirësi.

Dije se ajo fatkeqësi që nuk e ke të shkruar nuk do të ndodhë, dhe fatkeqësia që të ndodhi që ka qenë e shkruar nuk kishte si të shmangej.

Dije se triumfi vjen me sabër (durim), dhe se zgjidhja dhe ndihma e Allahut vjen kur njeriu ka hall dhe vështirësi, dhe me vështirësinë vijnë lehtësimet.

Trasmeton Imam Ahmedi.

Ruaji kufinjtë e Allahut dhe Allahun do t’a kesh në ndihmë ndaj teje kurdo që të kesh nevojë.

Bindju Allahut kur je në rehati e mirësi dhe ka për të t’u gjendur kur të kesh nevojë për Të kur të jesh në vështirësi.: Zbatoji urdhërat e Allahut dhe largoju sa më shumë ndalesave të Tij. Kur të jesh në vështirësi e të kesh shumë nevojë për Allahun, Ai të sheh, të dëgjon, e di gjendjen tënde dhe do të ndihmojë e do të japë zgjidhje dhe do të nxjerrë nga situata ku je.

‘Dije se ajo fatkeqësi që nuk e ke të shkruar nuk do të ndodhë, dhe fatkeqësia që të ndodhi që ka qenë e shkruar nuk kishte si të shmangej.

Dije se triumfi vjen me sabër (durim), dhe se zgjidhja dhe ndihma e Allahut vjen kur njeriu ka hall dhe vështirësi, dhe me vështirësinë vijnë lehtësimet.’ – Duro dhe vjen triumfi prej Allahut. Përderisa i ke zbatuar urdhërat e Allahut dhe u je larguar ndalesave të Tij, Allahu të sheh, të dëgjon dhe e di gjendjen tënde dhe do të të japë ndihmë dhe triumf. Duro deri kur të vijë ndihma e Allahut në kohën dhe në situatën më të mirë e më të përshtatshme.

۞۞۞

Jemi në prag të disa festave idhujtare dhe pagane.

Në Islam ka vetëm dy festa dhe lejohet përkujtimi i vetëm dy datave, e ato janë dy Bajramet.

Nuk lejohet përkujtimi i asnjë date tjetër përveç këtyre dy datave, dhe nuk lejohet festimi i ndonjë feste tjetër përveç këtyre dy festave.

Kur bëhet fjalë për festa idhujtarie dhe paganizmi, ndalesa është edhe më e fortë dhe gjynahu është më i madh.

Nesër një pjesë e botës feston –siç thonë- për lindjen e të birit të Zotit. Kjo është shpifja më e rëndë që është thënë ndonjëherë për Allahun.

Allahu thotë në Suren’ Kuluvallahu’: ‘Lem jelid, ue lem juled – Nuk ka lindur kënd e as nuk është i lindur.’

Prandaj, nuk lejohet kurrsesi festimi i kësaj feste, urimi i saj, pjesëmarrja në të, e asnjë lloj adeti e tradite e asaj feste.

Viti i ri është festë pagane idhujtare, festimi i të cilës është ritual adhurimi ndaj diellit që mithraistët e adhurojnë si Zot.

Nuk lejohet festimi i këtij adhurimi pagan, dhe nuk lejohet urimi e pjesëmarrja në asnjë aspekt i asaj feste.