Vlerat e kryerjes së Haxhit

Pyetja e parë nga fetvaja me nr. (6614).

Pyetje: Haxhi i pranuar a i shlyen mëkatet e mëdha? Kur konsiderohet tregtia e lejuar (të bësj tregti) në Haxh?

Përgjigje: Së pari: Saktëtohet në dy “Koleksionet e haditheve autentike” prej hadithit të Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Kush kryen haxhin dhe nuk flet fjalë të pahijshme e nuk vepron vepra të turpshme, do të kthehet (nga haxhi) si ditën që e ka lindur nëna e tij.”

Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër për të veç Xhenetit.” Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349).

Haxhi dhe veprat e tjera të mira janë prej shkaqeve të fshirjeve të të këqijave nëse personi e kryen atë në formën legjitime.

Ndërsa për mëkatet e mëdha duhet patjetër pendimi, bazuar në hadithin që gjendet në “Koleksionin e haditheve autentike” të Muslimit, nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan, i shlyejnë mëkatet e vogla që bëhen ndërmjet tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.”

Imam El-Mundhiri (Allahu e mëshiroftë) dhe një grup nga dijetarët janë të mendimit se haxhi i pranuar i shlyen të gjitha mëkatet, bazuar kjo në kontekstin e dy haditheve të përmendura më sipër.

Së dyti: Lejohet tregtia gjatë sezoneve të haxhit. Et-Taberiu në tefsirin e tij përcjell me zinxhir nga Ibën Abasi (radijAllahu anhuma) në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ju nuk keni asnjë gjynah nëse kërkoni ndonjë të mirë nga Zoti juaj” – ka thënë: Nuk keni gjynah që të bëni tregti para dhe pas ihramit për haxh.

Allahu është dhuruesi i suksesit!

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij!

 

Komisioni i përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva:

Kryetar: Abdulaziz bin Abdullah bin Baz

Zv/kryetar: Abdurrazak Afifi

Anëtar: Abdullah bin Gudejan

Përktheu: Unejs Sheme